Hetem Zymeri - Student/e - Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” Universiteti pritës: Hanze Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Groningen, Holandë “Kjo përvojë ishte shumë e vlefshme, pasi më dha një qasje praktike dhe ndërdisiplinare ndaj çështjeve të të drejtave të njeriut, duke kombinuar teorinë me aplikimin në situata reale. Në Hanze University, metoda e mësimdhënies ishte shumë interaktive, duke përfshirë projekte në grup, diskutime, studime rastesh dhe punë praktike me organizata ndërkombëtare. Kjo më ndihmoi të zhvilloj aftësi analitike dhe të kuptoj më thellë sfidat globale në fushën e të drejtave të njeriut. Një aspekt veçanërisht i rëndësishëm ishte mundësia për të punuar me studentë nga kultura të ndryshme, duke shkëmbyer perspektiva të ndryshme mbi drejtësinë sociale, barazinë dhe të drejtat e individit. Kjo përvojë më ka forcuar edhe më shumë angazhimin tim për të punuar në fushën e të drejtave të njeriut dhe më ka dhënë një perspektivë të re mbi rëndësinë e arsimit ndërkombëtar në këtë fushë.”
Brikena Kastrati, Student/e - Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” Universiteti pritës: Universiteti i Zagrebit, Fakulteti i Ingjinierise Elektrike dhe kompjuterike "Gjatë përvojës sime Erasmus në Zagreb, pata mundësinë të jetoj dhe studioj në njërin prej qyteteve më mikpritëse dhe plot gjallëri në Evropë. Të kaloj disa muaj atje më lejoi jo vetëm të rritem në aspektin akademik duke mësuar nga ligjërues të shkëlqyer dhe duke qenë i ekspozuar ndaj një mësimdhënieje me cilësi të lartë, por edhe në aspektin personal, pasi krijova miqësi të forta dhe zgjerova rrjetin tim ndërkombëtar. Të jetuarit në një mjedis multikulturor më ndihmoi të përmirësoj ndjeshëm aftësitë e mia në anglisht dhe më shtyu të dal nga zona ime e rehatisë në mënyrën më të mirë të mundshme. Gjithashtu pata mundësinë të udhëtoj, të përjetoj kultura të reja dhe të krijoj kujtime të paharrueshme me njerëz nga prejardhje të ndryshme. Kjo përvojë më mësoi pavarësinë, aftësinë për t’u përshtatur dhe vlerën e komunikimit ndërkulturor – aftësi që do të vazhdojnë të formësojnë si udhëtimin tim personal ashtu edhe atë profesional."
Sara Murati - student/e, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” Universiteti pritës: Hanze University të Shkencave të Aplikuara, Groningen- Holandë “Eksperienca ime në Holandë me programin Erasmus+ ka qenë vërtet unike dhe e paharrueshme, ku mësova shumë rreth metodave të mësimdhënies dhe organizimit akademik, i cili është ndryshe nga ai në Kosovë. Gjatë qëndrimit tim, pata mundësinë të punoj në grupe me studentë nga vende të ndryshme, duke shkëmbyer ide dhe perspektiva të reja. Bashkëpunuam me organizata të ndryshme, që na ndihmuan të realizojmë projektet tona. Përveç aspektit akademik, kjo përvojë më dha mundësinë të njoh kultura të reja dhe të krijoj miqësi të jashtëzakonshme. Do t’ia sugjeroja çdo studenti ta provojë këtë eksperiencë, sepse është një mundësi e shkëlqyer për zhvillimin personal dhe profesional. Erasmus+ të ndihmon të fitosh aftësi të reja dhe të bëhesh më i hapur, i pavarur dhe më i gatshëm për sfida në karrierë dhe jetë.”
Ermal Sopjani - Student/e - Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” Universiteti pritës: Savonia Universiteti i Shkencave të Aplikuara, Finlandë “Programi ka pasur shumë aktivitete dhe ligjerata inovative që mua më kanë futur ende më fell fushës qe studioj. Universiteti si staf por edhe studentët kanë qenë shumë mikëpritës dhe profesional. Të gjitha aktivitetet si puna në grupe, vizita në ferma, vizita në qendra kërkimore dhe ahengje universitare kanë qenë shumë mirë të organizuara dhe atraktive. Si përfundim, ka qenë një eksperiencë e pa harrueshme.”
Elonë Krasniqi, Student/e, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” Universiteti pritës: Hochschule Bonn Rhein-Sieg, Gjermani “Kjo përvojë ishte jashtëzakonisht e vlefshme për zhvillimin tim profesional dhe personal – jo vetëm që thellova njohuritë në fushën e teknologjisë, por gjithashtu ndërtova lidhje me studentë dhe profesorë nga vende të ndryshme. Mobiliteti më ndihmoi të zgjeroj perspektivën time dhe të forcoj aftësitë e mia në një mjedis akademik ndërkombëtar.”
Olsa Hoxha, Student/e - Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” Universiteti pritës: Universidade da Beira Interior (UBI), Covilhã, Portugali Ky ishte një kapitull transformues në udhëtimin tim si studente e arkitekturës, por edhe në jetën personale. Të largohesha nga familja dhe rutina e përditshme nuk ishte e lehtë në fillim, ndihesha jashtë zonës sime të rehatisë. Por shumë shpejt kuptova se njeriu ka aftësinë të përshtatet me gjithçka, të mësojë, të rritet dhe të krijojë një “shtëpi të re” kudo ku shkon. Brenda këtyre muajve, u përballa me një realitet të ri ndërkombëtar, ku kultura të ndryshme, studentë nga e gjithë bota dhe bashkëpunime ndërprofesionale u bënë pjesë e përditshmërisë sime. Kjo përvojë nuk më dha vetëm njohuri akademike, por më hapi horizonte të reja, duke më mësuar të besoj më shumë në vetvete dhe të ndërtoj lidhje që do të më shoqërojnë gjatë gjithë karrierës sime. Është një nga përvojat më të vlefshme që kam pasur ndonjëherë!
Drin Grajçevci, Student/e - Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” Universiteti pritës: Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Nysa, Poloni. “Përvoja ime si student i mobilitetit Erasmus+ në University of Applied Sciences në Nysa, Poloni, ishte pa dyshim një nga kapitujt më të veçantë dhe të paharrueshëm të jetës sime. Të jetosh dhe studiosh për një semestër në një vend të ri, me kulturë dhe stil jete ndryshe, ishte një përvojë që më sfidoi, më rriti dhe më frymëzoi për të ardhmen. Kam pasur mundësinë të ndjek kurse të ndryshme në fushën e financave, si Financial Mathematics, Financial Markets dhe Company Valuation Methods, ndërsa njëkohësisht krijova edhe miqësi të sinqerta me studentë nga e gjithë bota. Çdo ditë ishte një aventurë, duke filluar nga auditoriumet dhe diskutimet akademike, te eksplorimi i qyteteve polake dhe kuzhinës vendase. Erasmus+ nuk ishte vetëm një shkëmbim akademik, por një udhëtim vetë-zbulimi që më ka dhuruar kujtime dhe mësime për gjithë jetën.”
Elita Ferati: Student/e - Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” Universiteti pritës: University of Trento, Italy “Pas 6 muajve mësimesh, provimesh, ditë të bukura, ditë të mbushura me mall, ditë të mbushura me të qeshura, unë e mbusha valixhen time prej lëkure që mbante aromë Prishtine në atë skajin verior të Italisë, me detaje të reja, me shënime e vizatime nëpër fleta, me shumë libra të nenvizuar, me shumë fotografi të objekteve përrallore arkitekturale që ka Italia rreth e rrotull, me ligjërime të profesorëve shembuj… e mbusha me shokë e shoqe të reja, me magnete frigoriferësh, me kujtimet më të mira që një e re mund t’i bart në krahëror dhe mora rrugën për në Prishtinë. Rruga qe e gjatë kur shkova, shumë më e shkurtër m’u duk kur u ktheva. U ktheva në koridoret e sallat e Fakultetit Teknik, por si Elitë tjetër. Inxhineria e Ambientit rreth Italisë - epoka ime e ndritur. Unë ende flas me nostalgjinë më të madhe për këtë orë të bukur të jetës sime. Zgjati shkurt, por i mora gjithë çka munda Italisë, dhe ia solla vendit tim.”
Fatlum Mehmeti, Student/e - Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” Universiteti pritës: Hochschule Bonn-Rhein-Sieg, Gjermani "Unë quhem Fatlum Mehmeti dhe kam pasur kënaqësinë të realizoj mobilitetin tim në Hochschule Bonn-Rhein-Sieg, Gjermani, në kuadër të fushës së Shkencave Kompjuterike. Gjatë kësaj përvoje, pata rastin të zhvilloj aftësitë e mia akademike dhe personale, të njihem me një kulturë të re dhe të krijoj lidhje ndërkombëtare që më kanë pasuruar rrugëtimin tim profesional dhe personal."